Studentët në pritje të konkursit për master

Universiteti i Prishtinës(UP) nuk ka shpallur konkursin për studimet master. Ndërkohë edhe konkursi për nivelin e doktoratës nuk dihet se kur do të jetë i hapur për aplikim. Megjithëse, Senati i këtij Universiteti është mbledhur ditë më parë, këto dy çështje nuk janë diskutuar.

Premtimi i strukturave menaxhuese të UP-së se studimet master do të fillojnë me kohë, sikurse ato në bachelor, nuk po zbatohet. Sipas Zyrës për informim të Rektoratit të UP-së, kjo çështje është shtyrë për shkak të vizitës së menaxhmentit në Universitetin e Harvardit në SHBA. Pas kthimit nga vizita në Harvard, përfaqësues të UP-së premtojnë se si çështje e parë e diskutimit do të jetë shpallja e konkursit në master.

Megjithëkëtë, zyrtari për informim në UP, Isuf Ibërdemaj, ka bërë të ditur se vetëm nga fundi i javës së ardhshme pritet të merret një vendim për studimet master. Por, nuk ka dhënë asnjë datë të përafërt se kur mund të hapet konkurrimi për master.

Me statut të UP-së viti akademik zyrtarisht fillon më 1 tetor dhe mbaron më 30 shtator. Pa ndarë studimet bachelor me ato master, në statut thuhet se semestri dimëror fillon më 1 tetor dhe mbaron më 15 janar.

Kurse kalendari i studimeve nxirret nga Senati më së voni deri më 31 maj dhe përmban orarin e ligjëratave (ligjëratat, ushtrimet, seminaret, kolokuiumet), kushtet dhe afatet e provimit, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani. E, në anën tjetër UP-ja për studime të doktoratës është deklaruar se do të fillojnë këtë vit akademik. Konkursi për këto studime, sipas krerëve të UP-së, pritet të shpallet me konkursin për studime në master.

Ndonëse fushat e studimit nuk janë përcaktuar ende, është paralajmëruar se nuk do të ketë kufizim të fushave të studimit apo numër të studentëve. Mirëpo, deri më tash vetëm disa fakultete kanë dërguar programet e doktoratës.

Edhe rektori i UP-së, Mujë Rugova, ka pranuar se vetëm disa prej fakulteteve kanë dërguar fushat e studimeve. Fakultetet që kanë dërguar programet, sipas të dhënave të Rektoratit, janë Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, i Filologjisë, Ekonomik

dhe ai i Mjekësisë. Rugova ka theksuar se janë duke u bërë përpjekje që doktorata të përfshijë të gjitha fushat dhe fakultetet.

Nëse do të ketë studime të doktoratës në të gjitha njësitë akademike, varet edhe nga numri i mentorëve. “Varet prej personelit arsimor se sa kemi kuadro dhe profesorë që mund të jenë mentorë të këtyre kandidatëve”, ka thënë rektori Rugova. Konkursi për doktoratë do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët që plotësojnë kushtet për konkurrim./zeri/